Hapen aplikimet për ESBA: si kanë ndryshuar kostot e arsimit në Britani

Englanders CR po përgatit hapjen e aplikimeve të këtij viti për ESBA, duke u ofruar sërish
nxënësve shqiptarë me rezultate dhe potencial të lartë mundësinë për të ndjekur shkollën e
mesme me konvikt në Mbretërinë e Bashkuar, përmes bursave të bazuara në meritë.


Tetë vjet pas krijimit të ESBA-s, programi vazhdon të krijojë mundësi të reja. Ndërkohë,
kostoja e studimeve jashtë vendit ka ndryshuar. Prandaj, është e rëndësishme që familjet të
kuptojnë si kanë evoluar tarifat dhe si është përshtatur oferta e këtij viti.


Si po ndryshojnë kostot ndërkombëtare?

Studimet jashtë vendit nuk kanë një çmim të unifikuar. Kostot varen nga shteti, institucioni
dhe programi. Sipas kërkimeve të fundit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim
Ekonomik (OECD), shumë vende kanë ndryshuar tarifat për studentët ndërkombëtarë në
universitete. Norvegjia vendosi tarifa për shumë studentë jashtë BE-së dhe Zonës
Ekonomike Evropiane në vitin 2023, ndërsa Finlanda ka lëvizur drejt tarifave që mbulojnë
koston e plotë për kategori të caktuara studentësh ndërkombëtarë, duke filluar nga gushti
2026. Në vende të tjera, tarifat vijojnë të jenë relativisht më të ulëta se tarifat Britanike.


Edhe pse këta shembuj lidhen kryesisht me arsimin universitar, ata tregojnë pse planifikimi
financiar duhet të mbështetet te kostot aktuale dhe jo te çmimet e disa viteve më parë.


Çfarë ka ndryshuar në Mbretërinë e Bashkuar?


Një nga ndryshimet kryesore lidhet me tarifat e shkollave private. Prej 1 janarit 2025,
shërbimet e arsimit privat dhe të konviktit i nënshtrohen TVSH-së prej 20%. Ky ndryshim ka
shtuar presionin mbi kostot, por nuk do të thotë se tarifa përfundimtare e çdo shkolle është
rritur automatikisht me 20%: politikat e çmimeve ndryshojnë nga një institucion te tjetri – dhe
ka institucione të cilat rritjen e kanë absorbuar pjesërisht vetë, duke mos ia kaluar
studentëve.


Kanë ndryshuar edhe kërkesat për vërtetimin e financave në disa kategori vizash studentore.
Për aplikimet e kryera nga 30 nëntori 2026, kërkesa standarde për vizën Student rritet në
£1,570 në muaj në Londër dhe £1,203 në muaj jashtë Londrës, e llogaritshme për një
periudhë deri në nëntë muaj. Këto janë shuma që aplikanti duhet të provojë se i ka në
dispozicion; ato nuk përbëjnë tarifë shtesë për qeverinë apo një parashikim të shpenzimeve
reale mujore.


Është thelbësore të vëm në dukje se nxënësit e mitur që jetojnë në konvikt mund të aplikojnë
sipas kategorisë Child Student, për të cilën vlejnë rregulla të tjera financiare. Në përgjithësi,
ata duhet të dëshmojnë se kanë fonde të mjaftueshme për tarifat e shkollës dhe të konviktit.
Ky dallim është i rëndësishëm edhe sepse jeta në konvikt përfshin shumë më tepër sesa
akomodimin dhe ushqimin: shkollat ofrojnë mbikëqyrje, masa sigurie dhe kujdes të
vazhdueshëm për mirëqenien e nxënësve.


ESBA ndër vite


Kur Englanders CR nisi ofrimin e bursave ESBA-n tetë vjet më parë, nxënësit fitues
përfitonin tarifa vjetore shkollimi dhe konvikti të reduktuara në £15,000. Në raundin e
sivjetshëm, tarifa vjetore pas përfitimit të bursës ESBA është £20,000, përfshirë TVSH-në.
Diferenca është £5,000, ose rreth 33%, përgjatë tetë viteve. Për familjet kjo është një rritje e
ndjeshme, por duhet parë në kontekstin e zhvillimeve të kostove të arsimit dhe vendosjes së
TVSH-së mbi shkollat private dhe shërbimet e konviktit në Britani.


ESBA vazhdon të jetë një program bursash mbi bazën e meritës. Kandidatët vlerësohen
përmes një procesi përzgjedhjeje, ku demonstrojnë aftësitë dhe potencialin e tyre akademik.


Përtej tarifave: vlera e përvojës arsimore


Për nxënësit shqiptarë, vijimi i shkollës së mesme në Britani krijon mundësi për të studiuar
në gjuhën angleze, për të zhvilluar pavarësinë personale dhe për t’u përgatitur për
universitetin në një mjedis tjetër akademik. Në nivelet GCSE dhe, veçanërisht, A-level,
nxënësit mund të përqendrohen në një numër më të kufizuar lëndësh, duke fituar njohuri më
të thelluara në fushat që lidhen me planet e tyre universitare.

Rezultatet e larta dhe zgjedhja e kujdesshme e lëndëve mund të forcojnë profilin për
aplikime në universitete konkurruese.


Një vendim i mirë duhet të ndërthurë cilësinë e mundësisë akademike me përballueshmërinë
financiare. Përpara regjistrimit, familjet duhet të shqyrtojnë kushtet e bursës, shërbimet e
përfshira në tarifë dhe çdo shpenzim shtesë.


Aplikimet për ESBA po hapen. Kontaktoni Englanders CR për t’u informuar mbi kriteret,
procesin e përzgjedhjes dhe transferimin e studimeve të shkollës së mesme nga Shqipëria
në Britani.


Burimet e cituara OECD; HMRC; Home Office; GOV.UK.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *